Krijuesi Zot, në momentet më delikate e të errëta të historisë njerëzore, ka dërguar gjithnjë një të vajosur/ mesazher/shërbyes të Tijin, me qëllim që krijesa e Tij e dashur të dëgjonte zërin e Tij e praninë e tij. Por çdo herë që vinte ky udhëheqës i çmuar hyjnor, njerëzit kishin shumë vështirësi për ta njohur. Ky mos harmonizim mes vullnetit të Krijuesit dhe pretendimeve të krijesës nuk kursyen as Birin e Zotit Jezusin në ardhjen e tij të parë. Qënia njerëzore, e infektuar nga virusi matrixian i krenarisë e i autoeksaltimit, priste një lirues/ pushtues napoleonik që me forcën e dinakërinë militante shporte “armiqtë pushtues”.
Ndërkohë erdhi një “ëngjëll në blu xhins”, një person i thjeshtë e mëse normal, që në pamje të parë nuk kish asgjë që të tërhiqe vëmendjen. Por pikërisht me “bluxhinset” e tij tmerrësisht modeste, shumë nuk e njohën dhe pranuan, deri sa arritën ta dënonin me vdekje.
Në këto ditë të fundit, pak përpara ardhjes së dytë të të njëjtit Jezus, është parashikuar përsëri një ndërhyrje hyjnore. Një i vajosur i profetizuar nga profeti Malakia do dalë në skenën botërore, duke sjellë mesazhin e fundit të shpëtimit e lirimit të racës njerëzore në agoni, që tashmë ecën drejt rrugës së trishtë të vetëshkatërrimit. Por akoma edhe një herë “bluxhinset” e këtij ëngjëlli (ku gjej parashikimet në Apokalipsi 18) nuk do ketë mbështetjen e të mëdhenjve të tokës, të cilët sa shumë duan veshjet lluksoze e pamjen e jashtëme ndriçuese aq edhe ndjellin frikë e nderim në masat. E megjithatë ëngjëlli i dërguar nga Krijuesi në këto ditët e fundit do zgjidhet pikërisht në mes të popullit e do vishet përsëri në “bluxhins”.
A do jem në gjëndje ta njoh? Do fluturoj me të? Po, pasi pa krahët e këtij ëngjëlli nuk do ketë rrugëdalje tjetër nga muret e larta të burgut matrixian.