“Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve.
Fjalët e tua janë plot hir; prandaj Zoti të bekoi përjetë.

Ngjeshe shpatën në ije, o trimi i trimave, vishu me shkëlqim e me madhëri.
Përparo me madhështi mbi karrocë, për të mbrojtur të vërtetën, mëshirën dhe drejtësinë; dora jote e djathtë bën gjëra të tmerrshme.
Të mprehta janë shigjetat e tua; popujt do të bien nën sundimin tënd; do të depërtojnë në zemrat e armiqve të mbretit.
Ti e do drejtësinë, e urren pandershmërinë, prandaj të vajosi me gëzim Zoti, Hyji yt; të preferoi mes shokëve të tu.
Rrobat tuaja kanë erë mirre, aloe e kasie; nga pallatet e fildishtë të gëzon muzika e instrumenteve.
Bijat e mbretërve janë ndër zonjat tuaja të nderit, në të djathtën tuaj është mbretëresha, e stolisur me ar nga Ofiri.
Fëmijët tuaj do të zënë vendin e etërve tuaj; do t’i bësh princa mbi gjithë vendin.
Unë do ta bëj të famshëm emrin tënd për çdo epokë; prandaj popujt do të të lëvdojnë përjetë”.
Psalmet 45: 2-5, 7-9, 16-17